Çfarë kushtesh duhet të plotësohen për të bërë një kërkesë në Gjykatë?


Cilat janë kushtet që duhen plotësuar?

Nuk është e nevojshme të jeni shtetas i njërit prej shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Mjafton që shkelja për të cilën ankoheni të jetë kryer nga njëri prej këtyre Shteteve, brenda juridiksionit të tij, që zakonisht përkon me territorin e atij vendi.

Mund të jeni individ privat ose subjekt juridik, si kompani, shoqatë, etj.

Duhet të keni qenë drejtpërdrejt dhe personalisht viktimë e shkeljes që pretendoni. Nuk mund të ankoheni për një ligj apo për një akt në përgjithësi, sepse ju duket i padrejtë. Nuk mund të ankoheni as në emër të personave të tjerë (kjo mund të bëhet vetëm në rast se ato identifikohen qartë dhe nëse ju jeni përfaqësuesi i tyre zyrtar).


A ka ndonjë procedurë që duhet të ndiqet paraprakisht në gjykatat vendase?

Po. Ju duhet të keni shteruar në shtetin e paditur të gjitha mjetet e mundshme ligjore që do të kishin bërë të mundur zgjidhjen e situatës për të cilën ankoheni (kjo do të thotë që ju jeni ankuar në gjykatën kompetente dhe, nëse është e nevojshme, madje edhe në një shkallë më të lartë, si Gjykata e Lartë ose Gjykata Kushtetuese, nëse ka të tillë në vend).

Vetëm përdorimi i këtyre mjeteve ligjore nuk mjafton. Gjatë shterimit të shkallëve të ndryshme ligjore, ju duhet të keni nxjerrë në pah edhe ankesat tuaja (domethënë, përmbajtjen e shkeljeve të Konventës që ju pretendoni se janë bërë ndaj jush).

Për të sjellë kërkesën në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ju keni vetëm gjashtë muaj kohë nga data e vendimit të formës së prerë marrë në nivel vendor (në përgjithësi, ky është vendimi i gjykatës më të lartë në vend). Kërkesa juaj nuk mund të pranohet nga Gjykata, në rast se kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj nga vendimi i formës së prerë.


Kundër kujt mund të bëhet një kërkesë?

Kundër një ose më shumë shteteve që janë të detyruar ta zbatojnë Konventën, në rast se ju mendoni se (nëpërmjet veprimit ose mosveprimit që ju prekin në mënyrë të drejtpërdrejt) ky shtet apo këto shtete kanë shkelur Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Veprimi ose mosveprimi për të cilin ankoheni duhet të jetë kryer nga një ose më shumë autoritete publike në shtetin/shtetet në fjalë (për shembull, nga një gjykatë ose nga një autoritet administrativ).

Gjykata nuk mund të merret me ankesat kundër individëve ose institucioneve private, si për shembull kundër kompanive tregtare.

Për çfarë mund të bëhet një kërkesë?

Kërkesa duhet të ketë të bëjë me një nga të drejtat e përcaktuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Shkeljet e pretenduara mund të mbulojnë një larmi çështjesh, si torturën dhe keqtrajtimin e të burgosurve, ligjshmërinë e ndalimit, të metat e një procesi civil ose penal, diskriminimin në ushtrimin e një të drejte të Konventës, të drejtat e prindërve, respektimin e jetës private, të jetës familjare, të vendbanimit dhe letër-këmbimit, kufizimet në shprehjen e mendimit ose në dhënien a marrjen e informacionit, lirinë për të marrë pjesë në një tubim ose demonstratë, dëbimin dhe ekstradimin, konfiskimin e pasurisë dhe shpronësimin.

Ju mund të ankoheni vetëm për shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nuk mund të ankoheni për shkelje të ndonjë instrumenti tjetër ligjor, si për shembull, për shkelje të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut apo të Kartës së të Drejtave Themelore.

 


Did you find this article useful?