Masa e përkoshme


Gjykata supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Seancën e përgjithshme të mbajtur më 09.07.2021, në bazë të nenit 101 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të nenit 37 paragrafi 1 pika 1 të Ligjit për gjykatat (“Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë” numër 58/2006...96/2019), miratoi:

MENDIM JURIDIK PARIMOR

Aktvendimi i gjykatës kompetente i miratuar sipas nenit 200 paragrafi 7 të Ligjit për procedurë penale, me të cilin i urdhërohet institucionit financiar ose personit juridik që përkohësisht ta ndërpresin realizimin e transaksionit të caktuar financiar ose punues dhe me aktvendim të miratuar nga gjykatë kompetente gjatë rrjedhjes së procedurës sipas nenit 202 të Ligjit për procedurë penale, për masën e përkohshme me të cilën ndalohet tjetërsimi dhe posedimi me sende të caktuara të patundshme ose të tundshme NUK PARAQESIN PENGESË DHE NUK MUND TË KONSIDEROHET SE PËRMBARUESI KOMPETENT KA VEPRUAR KUNDËRLIGJSHËM gjatë zbatimit të përmbarimit në procedurën e realizimit të kontratës së pengut, të lidhur para aktvendimeve të miratuara për masën e përkohshme, kontratë e cila është në cilësinë e dokumentit përmbarues.

Arsyetim

Sipas nenit 200 paragrafi 7 të Ligjit për procedurë penale (“Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë” numër 150/10, 100/12 dhe 142/16), me propozimin e arsyetuar të prokurorit publik, gjykata me aktvendim mund ta urdhërojë institucionin financiar ose personin juridik që përkohësisht ta ndërpresin realizimin e transaksionit të caktuar financiar ose punues, ndërsa prona përkohësisht konfiskohet.

Sipas nenit 202 paragrafi 1 të Ligjit për procedurë penale, gjykata mundet në çfarëdo kohe gjatë procedurës penale të miratojë me kërkesë të prokurorit publik, masën e përkohshme konfiskim të pronës ose sendeve të cilat sipas Kodit penal duhet të konfiskohen, masën e konfiskimit ose masë tjetër të përkohshme, të domosdoshme që të pengohet shfrytëzimi, tjetërsimi ose posedimi me atë pronë ose send. Në këtë nen, në mënyrë të detajuar është përcaktuar procedura lidhur me mënyrën e vendimmarrjes dhe përmbarimit të kësaj mase të përkohshme.

Sipas nenit 59 paragrafi 1 të Ligjit për peng të kontraktuar (“Gazeta zyrtare e RMV” nr.5/2003, 2/2005, 87/2007, 51/11, 74/12, 115/14, 98/15, 215/15 dhe 61/2016), nëse në kontratën e pengut palët e kontraktuara nuk e kanë zgjedhur njërën nga mënyrat komerciale të shitjes së pengut, as nuk ka zgjedhur subjekt të autorizuar që do ta bëjë realizimin e pengut, kreditori i pengut në atë rast ka të drejtë që vetë ta zgjedh subjektin e autorizuar (noter, përmbarues, agjenci për shitjen e sendeve të tundshme dhe patundshmëritë, broker përmes bursës, bursë dhe subjekte tjera të parapara me këtë ligj), i cili do ta bëjë realizimin e pengut.

Sipas nenit 61 të këtij ligji, për fillimin e realizimit të pengut në cilëndo qoftë mënyrë dhe nga cilido qoftë subjekt është e nevojshme të plotësohen dy kushte edhe atë: debitori të jetë vonuar në plotësimin e obligimeve të veta në raport me kreditorin dhe kontrata për peng të ketë cilësinë e dokumentit përmbarues.

Sipas nenit 62 paragrafi 1 të këtij ligji, kur kontrata për peng ka cilësinë e dokumentit përmbarues dhe debitori i pengut nuk i plotëson obligimet sipas kontratës, kreditori i pengut mundet të kërkojë realizimin e pengut.

Sipas nenit 2 paragrafi 1 të Ligjit për përmbarim (“Gazeta zyrtare e RM”, nr.72/16), bazë për përmbarim paraqet dokumenti përmbarues.

Sipas nenit 25 të Ligjit për përmbarim, lëndë e përmbarimit për shkak të shlyerjes së kërkesës në para mund të jetë çdo lëndë debitore, e drejtë pronësore dhe patundshmëri e regjistruar në kadastër të patundshmërive, që me ligj nuk janë liruar nga përmbarimi, përkatësisht nëse përmbarimi ndaj tyre nuk është i kufizuar me ligj.

Duke u nisur nga përmbajtja e dispozitave të ligjeve të theksuara, pa kontest mund të konkludohet se:

Aktvendimi i gjykatës kompetente, me të cilin u urdhërohet institucionit financiar ose personit juridik që përkohësisht ta ndërpresin realizimin e transaksionit të caktuar financiar ose punues sipas nenit 200 paragrafi 7 të Ligjit për procedurë penale, aspak nuk ka të bëjë me ndalimin e zbatimit të përmbarimit me realizimin e kontratës së pengut me kërkesën e kreditorit të pengut kundër debitorit të pengut.

Po ashtu, edhe aktvendimi i gjykatës kompetente për masën e përkohshme të miratuar sipas nenit 202 të Ligjit për procedurë penale, me pengimin e tjetërsimit dhe posedimin me patundshmëri të caktuar ose me sende të tundshme, ka të bëjë vetëm me tjetërsimin vullnetar dhe posedim, por jo edhe me përmbarim të detyrueshëm nga ana e përmbaruesit kompetent në procedurën e realizimit të kontratës së pengut të lidhur para lëshimit të masës së përkohshme.

Kjo për arsye se, sipas nenit 3 paragrafi 2 të Ligjit për përmbarim, përmbaruesi nuk guxon të refuzojë zbatimin e përmbarimit, përveç në rast se janë plotësuar kushtet për përjashtimin e tij dhe nëse ka njohuri se për dokumentin e njëjtë përmbarues zbatohet përmbarimi te përmbarues tjetër.

Duke qenë se, përmbarimi mbi pronë pengu me kontratë të pengut të lidhur para aktvendimeve të miratuara nga gjykatë kompetente sipas nenit 200 paragrafi 7 dhe të nenit 202 të Ligjit për procedurë penale, nuk është e ndaluar me Ligj dhe të njëjtat aktvendime nuk mund të konsiderohen se paraqesin pengesë në procedurën e përmbarimit me realizimin e kontratës së pengut.

Aq më tepër, nëse aktvendimet e miratuara në rastin konkret sipas nenit 200 paragrafi 7 dhe të nenit 202 të Ligjit për procedurë penale, janë me karakter të përkohshëm dhe nuk paraqesin vendime të miratuara nga gjykatë kompetente me të cilat bëhet konfiskimi i pronës dhe dobisë pronësore por as edhe kufizimi i përmbarimit me Ligj mbi pronën e debitorit të pengut, sipas nenit 529 dhe nenit 530 të Ligjit për procedurë penale.

Gjykata, me aktvendim nuk mund të ndërpresë përmbarimin sipas nenit 86 paragrafi 8 të Ligjit për përmbarim.

Duke vepruar në mënyrën siç është shënuar dhe rregulluar me Ligjin për përmbarim, përmbaruesi gjatë zbatimit të përmbarimit në procedurën e realizimit të kontratës së pengut me kërkesë të kreditorit të pengut nuk mund të konsiderohet se ka vepruar kundërligjshëm.

GJYKATA SUPREME E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT

Seanca e përgjithshme


Did you find this article useful?