Si mund t’i drejtohem Gjykatës nëse mendoj se jam viktimë e shkeljes së Konventës?


Duke dërguar në Gjykatë një formular2 ankimi të plotësuar dhe të firmosur. Formulari i ankimit së bashku me dokumentet mbështetëse, duhet të dërgohen me postë në adresën e mëposhtme:

The Registrar European Court of Human Rights Council of Europe F-67075 Strasbourg cedex

Letra mund të shkruhet në njërën nga gjuhët zyrtare të Gjykatës (anglisht dhe frëngjisht), ose në gjuhën zyrtare të njërit prej shteteve që e kanë ratifikuar Konventën.

Nuk është e nevojshme që ju të dërgoni formularin e ankimit me faks, pasi kjo gjë nuk do të ndërpresë ecjen e afatit të parashikuar në Konventë për paraqitjen e një ankimi në Gjykatë. Vetëm kopja origjinale e formularit të ankimit e dërguar me postë do të konsiderohet prej Gjykatës.

Nuk është e nevojshme që ju të vini personalisht në Strasburg për të paraqitur çështjen tuaj. Ardhja juaj në Gjykatë nuk e përshpejton shqyrtimin e çështjes suaj dhe asnjë këshillë ligjore nuk do t’ju jepet nga ana e Sekretariatit.

Sekretariati mund t’ju kërkojë dokumente, informacione ose shpjegime shtesë lidhur me ankesën tuaj.

Ju duhet të shkarkoni formularin e ankimit nga faqja e internetit të Gjykatës, t’a plotësoni atë me kujdes dhe në mënyrë të lexueshme, t’a firmosni dhe t’ia ktheni Gjykatës sa më shpejt që të jetë e mundur. Ankesa juaj duhet të përmbajë:

1. Një përmbledhje të shkurtër të fakteve dhe ankesave tuaja,

2. Të drejtat e Konventës, që mendoni se ju janë shkelur,

3. Mjetet e ankimit që keni përdorur,

4. Kopje të vendimeve të marra për çështjen tuaj nga autoritetet publike vendase (këto dokumente nuk do t’ju kthehen, prandaj duhet të dërgoni vetëm kopje të tyre) dhe

5. Nënshkrimin tuaj si kërkues ose nënshkrimin e përfaqësuesit tuaj.

Nëse nuk dëshironi që identiteti juaj të bëhet i ditur, duhet të informoni menjëherë Gjykatën duke parashtruar në mbështetje arsyet përkatëse . Kërkesa juaj do të shqyrtohet më pas nga Kryetari i Gjykatës.

Në këtë fazë të procesit gjyqësor ju nuk jeni të detyruar të përfaqësoheni nga një avokat. Megjithatë, nëse dëshironi, ju duhet të plotësoni dhe të firmosni pjesën e duhur të formularit të ankimit.

Cilat janë karakteristikat kryesore të procedurës në Gjykatë?

Procedura zhvillohet me shkrim. Ju do të informoheni me shkrim për çdo vendim që do të marret nga ana e Gjykatës. Seancat publike organizohen në raste përjashtimore.

Çështja juaj do të trajtohet falas.

Megjithëse në fazat e para të procesit gjyqësor nuk është e nevojshme të përfaqësoheni nga një avokat, ju do të keni nevojë për të në momentin që kërkesa juaj do t’i komunikohet qeverisë. Megjithatë, shumica dërrmuese e kërkesave shpallen të papranueshme pa qenë e nevojshme që t’i komunikohen qeverisë.

Shpenzimet tuaja (si për shembull, pagesa e avokatit ose shpenzimet lidhur me punën kërkimore dhe letër-këmbimin) do t’ju duhet t’i përballoni vetë.

Pasi të keni depozituar kërkesën, ju mund të kërkoni edhe ndihmë ligjore. Ndihma ligjore nuk jepet automatikisht, as menjëherë, por vetëm në një fazë të mëvonshme të procedurës.


Cilat janë fazat kryesore të procedurës?

Si fillim, Gjykata duhet të shqyrtojë nëse kërkesa juaj është e pranueshme. Kjo do të thotë që çështja duhet të plotësojë disa kushte të përcaktuara në Konventë. Kërkesa juaj nuk do të pranohet, në rast se këto kushte nuk plotësohen. Nëse keni bërë disa ankesa, Gjykata mund të shpallë të pranueshme një ose disa prej tyre dhe të rrëzojë të tjerat.

Në rast se kërkesa juaj ose njëra prej ankesave tuaja shpallet e papranueshme, ky vendim është i formës së prerë dhe i pakthyeshëm.

Në qoftë se kërkesa juaj ose njëra prej ankesave tuaja shpallet e pranueshme, Gjykata fton palët (ju dhe shtetin në fjalë) të arrijnë një zgjidhje miqësore. Nëse kjo zgjidhje nuk arrihet, Gjykata shqyrton themelin e çështjes – domethënë, gjykon nëse ka pasur shkelje të Konventësapo jo.


Sa kohë zgjat procedura para Gjykatës?

Nisur nga ngarkesa e punës, mund t’ju duhet të prisni një vit para se Gjykata të mund të procedojë me shqyrtimin fillestar të kërkesës tuaj. Disa kërkesa mund të trajtohen si urgjente dhe me përparësi, veçanërisht kur thuhet se integriteti fizik i kërkuesiti është në rrezik fizik të menjëhershëm.




2 Formulari mund të gjendet në adresën tonë zyrtare në internet.


Did you find this article useful?